Që ishte skuadra më e fortë, nuk dyshonte kush. Gjithsesi, nuk ishte e sigurt nëse Denver Nagets do ta tregonte epërsinë në Finalen e Madhe për titull në NBA ndaj Majemit, por tashmë as për këtë nuk ka dyshime. Skuadra nga Kolorado është vetëm një hap larg titullit kampion në basketbollin amerikan, falë suksesit të radhës në fushën e Majemit. Triumfi 108-95 u arrit falë një mbrojtjeje tepër të fortë, dhe me një lojë kolektive të paqortueshme, edhe pse ylli kryesor, Nikola Jokiç, pati probleme. Basketbollisti nga Serbia vërtet shënoi 23 pikë, kapi 12 topa në tabela, shërbeu 4 asistë, 3 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh, por u pengua nga një dëmtim dhe pastaj nga gabimet personale.
Në skenë dolën yjet e tjerë të Denverit, me Aron Gordonin që ishte më i miri me 27 pikë, 7 topa në tabela e 6 asistë. Po ashtu, i përhershmi Xhamal Marrej me 15 pikë e 12 asistë, ndërsa Majkëll Porter realizoi 13 pikë. Për Majemin, nuk mjaftuan Xhimi Batler me 25 pikë dhe Adebajo me 20. Denveri kryeson 3-1 me fitore ndaj rivalit nga Florida, me dy fitore radhazi në Majemi. Nëse fiton ndeshjen e radhës mëngjesin e 13 qershorit me orën e Shqipërisë, shpallet kampion i NBA-së për herë të parë në histori.
Sfidanti.al