“Goli” i dyfishtë i Uzunit: Shënon, ngjitet në La Liga dhe … martohet!

Ishte mbrëmja e përsosur. Myrto Uzuni siguroi ngjitjen në elitën e futbollit spanjoll, diçka që u arrit edhe falë golit të tij, si dhe bëri propozimin e jetës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare kishte menduar për gjithçka, dhe jo vetëm për ndeshjen e javës së fundit të ligës së dytë, që Granada duhej ta fitonte ndaj Leganjesit. Suksesi erdhi me shifrat 2-0, dhe Uzuni nisi festën në stadium duke kaluar ekipin e tij në avantazh, e duke i hapur rrugën triumfit. Sidoqoftë, kjo nuk ishte e gjitha. Me të mbaruar sfida, Uzuni mori në fushë të dashurën e tij, Uardën, ndërsa kishte përgatitur një të papritur.

Ai ndoqi shembullin e shumë sportistëve të tjerë në të gjithë botën, duke i bërë asaj propozimin për martesë. Natyrisht, gjithçka shkoi siç duhet, me fotoreporterët që nxituan ta fiksonin momentin. Propozimi i Uzunit u shfaq edhe në tabelën elektronike të stadiumit. Tashmë, sezoni i ardhshëm do ta gjejë të plotësuar sulmuesin shqiptar, që fitoi Këpucën e Artë me 23 gola. Ai do të luajë në La Ligë kundër gjigandëve si Barcelona e Real Madrid, dhe njëkohësisht do të jetë i martuar me vajzën e jetës së tij.

Sfidanti.al