Gjokoviç drejt lavdisë, por kujdes rusin e rrezikshëm Karacev!

E theu edhe një herë raketën nga nervat, por sërish pati aq vetëpërmbajtje që të kalonte momentet më të vështira. Novak Gjokoviç u kualifikua për në gjysmëfinale të Australian Openit pas fitores 3-1 ndaj gjermanit Aleksandër Zverev. U deshën 3 orë e gjysmë lojë në fushën kryesore të Arenës “Rod Lejvër” që tenisti numër 1 i botës të kapërcente pengesën e radhës.

Përtej shqetësimeve për dëmtimin në muskujt e barkut, Nole u duk më mirë fizikisht duke pëballua një sfidë të rrezikshme, në të cilën humbi setin e parë. Rezultati ishte 6-7, 6-2, 6-4 e 7-6. Kjo ishte hera e dytë që tenisti serb fitoi ndaj Zverevit në çerekfinale të një Grand Slemit pas suksesit në Rolan Garos në 2019. Gjokoviç kërkon titullin e 9-të në Australian Open dhe të 18-in Grand Slem në karrierë, për të qenë vetëm 2 trofe larg rekordmenit Rozher Federer.

Gjithsesi, 33-vjeçari do të duhet të ketë kujdes në gjysmëfinale ku do të luajë ndaj rusit Aslan Karcev. Moskoviti Karacev kaloi bullgarin Dimitrov 3-1 me sete duke vazhduar një përrallë të vërtetë në Melburn. Tenisti me origjinë nga Osetia po luan në nivelin e jetës së tij duke arritur suksesin më të madh në karrierë tani që është 27 vjeç. Ndaj Dimitrovit ai triumfoi bindshëm, me shifrat e seteve 6-2, 4-6, 6-1 e 6-2. Një formë sportive dhe fizike nga më të lartat, dhe që mund të jenë rrezik për numrin 1 të botës.

Sfidanti.al