Në skaje të tilla nuk i kemi parë kurrë. Një Napoli drejt titullit, dhe një Juventus pranë fundit është e pandodhur në Serinë A, madje as në epokën e Maradonës, apo kur “Zonja e Vjetër” u zbrit në Serinë B. Pas fitores 5-1 në sfidën direkte, napolitanët vazhduan marshimin me një fitore tjetër, këtë herë 2-0 në fushën e Salernitanës. Pas rrjetave të shënuara nga Di Lorenco dhe Osimhen, skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti arriti një rekord, pasi askush në Serinë A me 20 ekipe dhe me fitoren tripikëshe nuk ia kishte dalë. Deri në 48 kishte arritur po Napoli, në kohën e Sarrit, por duke mos e fituar titullin. Këtë herë duket se është ndryshe, siç pranon edhe Spaleti.
“E dimë se kemi një mundësi të papërsëritshme për titullin, – deklaron ai, – Nuk duhet ta humbasim këtë mundësi që kemi në dorë. Për këtë, duhet që të qendrojmë me këmbë në tokë si profesionistë të vërtetë. Për ne, sidoqoftë, nuk ka ardhur koha për të folur për titullin, këtë mund ta bëni ju gazetarët. Edhe fakti që kemi 50 pikë është diçka e papërsëritshme”.
“La Gazeta delo Sport” titullon: Napoli 50, mundet Salernitana! Juventusi nuk dorëzohet, furia bardhezi pas vendimit gjyqësor! “Napoli padron, – shkruan “Il Korriere delo Sporti”, – Fitorja numër 16, arrin 50 pikë, janë numra për titull! Juventusi nën goditje, i trembet UEFA-s!”
Sfidanti.al