Me të drejtë e përditshmja madrilene, “Marka”, titulloi se “lideri fitoi duke i mbetur sytë tek ora”. E tillë, Barcelona në suksesin në “Spotifaj Kamp Nou” ndaj Getafes, në një ndeshje që përsa i përket renditjes ishte shumë mirë, por aspak përsa i përket lojës. Ishte një gol i Pedrit që shpëtoi katalanasit dhe “Marka” sërish shkroi duke e lavdëruar se “ka nga ata që mendonin se Pedri ishte i mirë vetëm për të dhënë pasime”. Barça shënoi që në pjesën e parë (35’), por përveç zotërimit të topit (69-31) nuk pati ndonjë epërsi tjetër, me gjuajtjet 7-5 dhe 4-3! Skuadra e trajnerit Ksavi Hernandez kryeson me 44 pikë pas 17 ndeshjeve, me vetëm 6 gola të pësuar dhe 36 të shënuar, duke qenë paradoksalisht shumë e fortë në mbrojtje, por jo edhe aq bindëse në sulm. Sidoqoftë, pas fitores së shkëlqyer të Superkupës së Spanjës, me triumfin 3-1 ndaj Realit, kjo paraqitje edhe mund të pranohet.
Sfidanti.al