Gatuzo dhe derbit ndaj Interit, historia e një “lufte milaneze”

Deri në moshën 13-vjeçare nuk kishte luajtur kurrë futboll në fusha normale. “Luajta vetëm në plazh”, – thoshte Xhenaro Gatuzo, ai që më vonë u bë “shtyllë” e Milanit. Sot është 40 vjeç dhe “La Gazeta delo Sport” tregon në mënyrë sintetike historinë e “Rinos” në derbit e Milanos. Një histori lufte, por edhe suksesi.

Bilanci i trajnerit të sotëm milanist është 15 fitore, 5 barazime e 8 humbje, ndërsa fitoi derbin e parë në stol dy muaj më parë, në Kupën e Italisë. Disa nga fjalët që thoshte në fillim kanë mbetur në histori. “Nuk di të gjuaj goditje dënimi, nuk di të jap asist” apo “këmbën e majtë e kam përdorur vetëm për t’u ngjitur në autobus”.

Gjithsesi, asisti i tij i parë për Milanin u dha në një derbi ndaj Interit në 2003, u dha me të majtën, dhe shërbeu për golin e parë të Kakasë me fanelën kuqezi.

Vetë Gatuzo pëlqen më tepër dy derbit në Champions, ku Milani kaloi në finale (0-0, 1-1), ndërsa në atë kohë foli ndershmërisht: “Meritonin të kalonin ata, por jo gjithnjë në futboll fiton më i forti”.

I ashpër, si gjithnjë, edhe në derbit ndaj Interit, madje që në të parin në 1999, fituar 2-1, kur shkoi dhe i ulëriti në fytyrë “Fenomenit” Ronaldo. Ulërimat gjithsesi, nuk i kishte vetëm për kundërshtarët. Në 2008, pasi shkaktoi tre faulla radhazi, Ançeloti e qortoi që nga stoli, por Gatuzo u përgjigj: “Mjaft, gjithnjë vetëm flet”. “Gatuzo është i tillë dhe raporti ynë është kështu”, – tha trajneri pas ndeshjes.

Gjithashtu, ulërima pati edhe në humbjen 0-4 ndaj Interit të Murinjos në 2009, kur u përjashtua për herë të parë e të fundit në derbi. Pësoi dëmtim dhe priste zëvendësimin, ndërsa rezultati ishte 0-2. Klarens Zedorf duhej të hynte në vend të tij, por u vonua duke u bërë gati. Gatuzo vazhdoi, bëri faull të ashpër ndaj Snejderit, dhe u përjashtua me të kuq. Kur doli nga fusha, i ulëriti keqaz stolit dhe Zedorfit.

Sot, ai është pak më ndryshe, më i pjekur dhe nuk i pëlqen vetja në momentet e sherreve. Gjithsesi, për të fituar ndaj Interit, trajneri i Milanit, Gatuzo, besohet se do të bërtasë shumë me lojtarët e tij.

Sfidanti.al