Gati rikthimi, Etrit Berisha në fushë kundër të shkuarës

Sikur gjithçka të shkojë sipas parashikimeve, ka shumë mundësi që portjeri i Kombëtares tonë, Etrit Berisha, të kthehet në fushë për një ndeshje shumë të rëndësishme për të, atë të 15 janarit në “Olimpico”, Lacio – Atalanta. Sipas stafit mjekësor të klubit, operacioni në menisk, të cilit gardiani shqiptar iu nënshtrua në fillim të muajit dhjetor, shkoi më së miri, por po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për periudhën e parashikuar për rehabilitimin.

Po të njëjtat burime konfirmojnë, që Berisha do të jetë i gatshëm për trajnerin Gasperini, në mes të muajit janar. Sipas kalendarit, fillimisht Atalanta luan në trasfertën e Kievos (8 janar), ndërsa shpresat janë që portieri kuqezi të jetë në fushë ndaj Lacios, një javë më vonë, një ndeshje speciale për të, pasi do të jetë përballë të shkuarës.