FSHF mbledh federatat për një rezolutë pro…Ceferin-it

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe ndjekësit e tij të përbetuar, anëtarë nga 11 federatat e futbollit në Ballkan, kanë zhvilluar një takim në Tiranë me qëllim…jo përmirësimin e futbollit në vendet resopektive por mbështetjen për Alexander Ceferin. A thua se kreu i UEFA-s kërkonte një konfirmim nga vasalët e tij në rrugën për t’u bërë mbret ashtu si paraardhësit e tij në fronin e ngrohtë.

Zyra e propagandës në FSHF dha lajmin e madh për të gjithë familjen shqiptare të futbollit, duke theksuar se Presidentët & Sekretarët e Përgjithshëm të 11 Federatave riafirmojnë suportin e pakushtëzuar për presidentin e UEFA-s, Aleksander Ćeferin. Oksigjen për sllovenin që në këtë cep të harruar të Europës ka një strehëz të sigurt me 11 vota pro tij ku sigurisht 3 prej tyre janë ato të shqiptarëve të cilët pasi kanë analizuar me kujdes, kanë vlerësuar situatën dhe kanë dalë në përfundimin që politika e kreut aktual të UEFA-s shkon paralelisht me objektivat e futbollit tonë mbarëkombëtar.

“Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin përfaqësues nga 11 federata kombëtare të futbollit, duke përfshirë Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Qipron, Greqinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Slloveninë, Turqinë dhe Shqipërinë. Pas prezantimeve të këtyre temave, federatat pjesëmarrëse u thelluan në diskutime në lidhje me të ardhmen e futbollit europian, ku të gjithë pjesëmarrësit shprehën njëzëri mbështetjen e palëkundur për Presidentin Ćeferin dhe administratën e UEFA-s”, theksohet në komunikatë.

 

Nga Pirro Bardhyli