José Mourinho nuk dëshiron që Endrick të largohet në formë huazimi gjatë merkatos së janarit. Pavarësisht interesimit të raportuar nga Roma dhe Milani, trajneri portugez beson se sulmuesi brazilian ka potencialin për të treguar vlerat e tij aty ku ndodhet aktualisht. Në një intervistë për TNT Sports Brazil, Mourinho shpjegoi se dëmtimi në periudhën përgatitore ndikoi në ecurinë e lojtarit, duke e mbajtur atë jashtë fushave për më shumë se një muaj. Tekniku pranoi gjithashtu se, pas rikuperimit, nuk i ka dhënë ende një mundësi të mirëfilltë për të treguar aftësitë e tij.
“Endrick pësoi një dëmtim në fazën përgatitore, që e mbajti jashtë për më shumë se një muaj. Është e vërtetë që pas rikuperimit nuk i dhashë një mundësi të vërtetë”, u shpreh Mourinho. Trajneri iu referua edhe ndeshjes kundër Villarrealit, ku braziliani ishte pranë aktivizimit, por situata e takimit ndryshoi planet e tij.
“Ndaj Villarrealit ishte gati të hynte në fushë, por më pas shënuam një gol dhe, duke qenë me dhjetë lojtarë, është normale që trajneri të marrë në konsideratë mundësi të tjera”, shpjegoi portugezi. Pavarësisht minutave të kufizuara, Mourinho nuk mendon se huazimi është zgjidhja e duhur për 19-vjeçarin. Përkundrazi, ai beson se sulmuesi mund të ketë sukses pa ndryshuar skuadër gjatë dimrit.
“Nuk mendoj se Endrick duhet të largohet në huazim. Besoj se ai mund të bëjë shumë mirë këtu”, përfundoi Mourinho. Deklaratat e trajnerit vijnë në një moment kur emri i brazilianit lidhet me lëvizje të mundshme në merkaton e janarit. Megjithatë, qëndrimi i Mourinhos është i qartë: Endrick mund të ketë ende një rol për të luajtur dhe nuk ka arsye që të kërkojë një skuadër tjetër për të gjetur më shumë minuta.

