Jasir Asani dhuron sërish spektakël në Champions League

Jasir Asani po e kthen në zakon shënimin e golave në Champions League Aziatike. Pas golit të realizuar javën e kaluar me skuadrën e Esteghlalit, sulmuesi shqiptar e gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke dhënë një tjetër sinjal për formën e tij, pas mungesës në listën e Kombëtares për ndeshjet e Nations League të shtatorit dhe tetorit. Në sfidën e luajtur këtë të hënë në transfertë ndaj Al Gharafës, Asani nuk ishte në formacionin titullar, por u aktivizua në minutën e 32-të. Vetëm pesë minuta më vonë, ai la gjurmën e tij në ndeshje, duke shënuar me një gjuajtje të fuqishme me të majtën, pas një aksioni të nisur nga krahu i djathtë. Për Asanin, ky ishte goli i dytë në këtë edicion të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit aziatik për klube.