Frenkie de Jong në dyshim për ‘El Clásico’-n

Tri ditë para supersfidës me Real Madridin në “Santiago Bernabéu”, Barcelona përballet me një tjetër shqetësim. Pas mungesës së Andreas Christensen në ndeshjen kundër Olympiacos-it për shkak të problemeve me sistemin tretës, të njëjtin problem shëndetësor e ka shfaqur edhe Frenkie de Jong, i cili sot nuk mori pjesë në stërvitje. Mesfushori holandez mbetet në dyshim për “El Clásico”-n e së dielës, dhe stafi mjekësor po punon intensivisht për ta rikuperuar në kohë. Christensen ndërkohë vazhdon të qëndrojë jashtë, çka e vë në vështirësi trajnerin Hansi Flick, i cili kishte planifikuar ta aktivizonte De Jong-un në mesfushë, përkrah Pedrit dhe Fermín López. Megjithatë, ka edhe disa lajme pozitive për katalanasit. Raphinha po përparon në rikuperim dhe mund të marrë dritën jeshile mjekësore të shtunën, ndërsa Ferran Torres është rikthyer plotësisht në formë dhe pritet të jetë gati për një vend titullari. Në anën tjetër, të dëmtuarit Robert Lewandowski, Joan García, Gavi, Dani Olmo dhe Marc-André ter Stegen do ta ndjekin përballjen e madhe nga shtëpia.

sfidanti.al