Francës nuk i mjaftuan “gjelat” për të mundur Hungarinë në Budapest!

Në futboll nuk mjafton të jesh më i mirë. Në fushën e lojës duhet të tregosh se mund ta mundësh një kundërshtar dhe Franca nuk ia doli në Budapest ndaj Hungarisë. Kampionët e botës u ndalën në barazim 1-1 në “Pushkash Arena”, pavarësisht epërsisë tepër të madhe për 90 minuta, duke vërtetuar aksiomën se rezultatin e merr ai ekip që e dëshiron më shumë. Pavarësisht se francezët ishin shumë më lart si cilësi sesa vendasit, pavarësisht se ata mbajtën zotërimin e topit dhe krijuan më shumë raste për shënim, nuk shënuan dot më shumë gola se hungarezët, në një nga të papriturat më të mëdha të Europianit deri tani.

Hungaria, që u mund 0-3 nga Portugalia në ndeshjen e parë, i lumturoi 55 000 tifozët duke dhënë maksimumin në fushën e lojës, e duke i dhënë vetes shpresë për një kualifikim të mundshëm. Rastet e Mbapesë, që ngacmuan shtyllën, mbetën vetëm raste, ndërsa golit të vendasit në fund të pjesës së parë të shënuar nga Atila Fiola, iu përgjigj Antuan Grizman pas pushimit. Franca mbajti topin 61 për qind dhe gjuajti 15 herë drejt portës, ndaj vetëm 5 të vendasve, por gjuajtjet në kuadrat ishin 4-3, pra thuajse të barabarta. Nëse nuk ke vullnetin e duhur nuk fitot dhe Franca sot pati përfundimin e kundërt në krahasim me ndeshjen me Gjermaninë. Në Mynih lojën e bënë gjermanët dhe fitoren e morën kampionët e botës, ndërsa në Budapest, futboll luajtën “gjelat” e trajnerit Deshamp, ndërsa rezultatin e kënaqshëm e morën hungarezët.

Sfidanti.al