Është konkurrimi i anglezëve që dominojnë prej sezonit 2018-2019, me vetëm Bajernin që ndërpreu sundimin e tyre në vitin e pandemisë, në 2020. Ekipet nga ishulli janë sërish pranë gjysmëfinaleve, me Liverpulin e Mançester Sitin që hodhën hapin e parë me fitoret e arritura këtë mbrëmje. Sidomos të kuqtë e Klopit morën një rezultat 3-1 në Portugali ndaj Benfikës, që i bën të ndihen si gjysmëfinalistë. Konate, Sadio Mane dhe Luis Diaz ishin autorët e golave në “Estadio da Luz” të Lisbonës, ndonëse portugezët e shkurtuan diferencën pas pushimit dhe madje mund të kishin fituar një penallti që do ta kishte barazuar rezultatin në 2-2. Sidoqoftë, ishullorët patën 66 për qind mbajtje të topit, patën 17 gjuajtje ndaj 9 të vendasve, dhe 8 gjuajtje në portë ndaj vetëm 3. Kornet ishin 6-2! Ekipi i Klopit i ka fituar të gjitha ndeshjet jashtë fushe në Champions dhe nuk besohet se do të gabojë në sfidën e kthimit në “Anfild”.
Mançester Siti e pati shumë më të vështirë, dhe ishte normale. Ndaj Atletikos së Madridit duhej luajtur me durim, ndërsa as mund të bëhej fjalë për të zbatuar stilin e rrjedhshëm tiki-taka për të krijuar raste. Mbrojtja e hekurt e të besuarve të Diego Pablo Simeones nuk e lejoi një gjë të tillë dhe pati shumë pak raste për shënim. Kevin De Brujne shënoi golin e vetëm në pjesën e dytë, ndërsa ekipi i Guardiolës u ndihmua shumë nga hyrja në fushë e Fil Fodenit. Siti mbajti topin plot 71 për qind, gjuajtjet ishin 15-0, kornet ishin 9-0, por gjuajtjet në portë vetëm 2-0! Në Madrid pritet e vështirë, por gjithsesi Siti do të ketë mundësi të luajë me më shumë hapësira dhe me zotërimin e topit, edhe pse Atletiko do të jetë sërish në pritje për të goditur.
Sfidanti.al