Sa e ëmbël fitorja e parë “e pistë” e Interit të Inzagit!

Natyrisht, frika është se mos tani “merret kot” dhe “hunda ngrihet në qiell”. Për një ekip që për një dekadë të paktën nuk ishte mësuar të fitonte (përjashto titullin vjet), rreziku ekziston që fitorja në fushën e Juventusit mund të ketë efektin e një vere të fortë të pirë me nxitim e me dolli me fund. Që nga presidenti Çan, tek ish-drejtuesi Tronketi Provera, të gjithë po e ngrenë në qiell Interin, a thua se zikaltërit nuk u “masakruan” për shumë javë për gabimet që bënë.

Gjithsesi, theksohet diçka që është e drejtë, kjo ishte fitorja e parë “e shëmtuar” nën drejtimin e trajnerit Simone Inzagi. Deri tani, ish-tekniku i Lacios kishte fituar me stil, me lojë sulmuese, madje Interi kishte qenë i tillë edhe kur kishte humbur apo barazuar. Fitorja 1-0 në Torino u quajt “e pistë”, me vetëm 1 gjuajtje në portë, atë të golit, madje të shënuar me penallti. Sidoqoftë, siç thekson “La Gazeta delo Sport”, në futboll vlejnë pikët sidomos në këtë moment të Serisë A, dhe fitorja me Juven i dha sërish shpresë Interit që mund ta mbrojë titullin.

Sfidanti.al