Favoritja Spanjë në gjysmëfinale, por vetëm pas “ferrit” zviceran!

Pa Granit Xhakën kapiten në fushë, me Bril Embolon të dëmtuar që në 23’, sërish skuadra “multinacionale” helvete ia doli të fitonte gjithë admirimin dhe respektin e Europës. Ashtu si ndaj Francës kampione të botës, Zvicra luajti si e barabartë dhe u eleminua vetëm pas penalltive. Përfundoi 1-1 për 90’ në Shën Peterburg të Rusisë, po 1-1 pas 120 minutave, ndërsa tek penalltitë heroi ishte Unai Simon, ai që u kritikua për golin e pakujdesshëm që pësoi ndaj Kroacisë në raundin e dytë. Portieri spanjoll priti dy 11-metërsha, dhe Spanja e trajnerit Luis Enrike ia doli 3-1 nga pika e bardhë.

Një autogol i Zakariasë kaloi spanjollët përpara, por Zvicra bëri më shumë, e udhëhequr nga kapiteni Xherdan Shaqiri. Pra, shiriti kaloi nga një lojtar me origjinë shqiptare, në një tjetër po me origjinë të tillë. Shaqiri realizoi edhe golin e barazimit pas pushimit, pas gabimit të mbrojtësve spanjollë në 68’. Problemi i madh për ekipin e trajnerit Petkoviç ishte kur Remo Frojler u nxorr jashtë me të kuqe në 77’ në një faull që edhe analistët spanjollë të arbitrimit e deklaruan se ishte për të verdhë. Gjithsesi, zviceranët u mbajtën deri në fund, edhe në inferioritet numerik, falë pritjeve të portierit Zomer, dhe të gabimeve të Gerard Morenos, Ojarzabalit apo Zhordi Alba. Luis Enrike me gjasë nuk ka të drejtë kur thotë se Spanja është skuadra më e mirë e këtij Europiani, por i ka rënë pikës kur është shprehur se Spanjën është shumë e vështirë që ta mundësh. Deri tani nuk ka dalë kush që ta bëjë, të shohim nëse do të ndodhë në gjysmëfinale.

Zvicra: Zomer, Elvedi, Akanxhi, Rodrigez, Vidmer (Mbabu 100’), Zakaria (Shar 100’), Frojler, Zuber (Fasnaht 90’), Shaqiri (Sou 81’), Seferoviç (Gavranoviç 82’), Embolo (Vargas 23’). Tr. Petkoviç

Spanja: Simon, Azpilikueta, Laporte, Pau Torres, Alba, Koke (Jorente 90’), Buskets, Pedri (Rodri 119’), Ferran Torres (Ojarzabal 91’), Morata (Moreno 54’), Sarabia (Olmo 46’). Tr. Luis Enrike

Sfidanti.al