Elseid Hysaj mes Liverpulit dhe Lacios, pritet ta marrë “komandanti” Sarri!

Do të mbetet në Serinë A, apo do të kalojë në Angli? Vera pritet të jetë e nxehtë për Elseid Hysajn, pasi shërbimet e tij i duan skuadra të tilla si Liverpuli dhe Lacio. Nga Britania e Madhe vijnë lajme se trajneri Jurgen Klop po e mendon zv. kapitenin e kombëtares shqiptare për të forcuar mbrojtjen. Liverpuli siguroi pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm, dhe do të ishte mundësia maksimale për Hysajn, ndërsa Klop e ka të qartë se ka nevojë për alternativa në skuadër.

Gjithsesi, lajmet nga Italia janë që shqiptarin nuk do ta lëshojnë lehtë për t’u larguar nga Seria A. Trajneri Mauricio Sarri e ka kërkuar Hysajn tek Lacio, dhe bashkë me të i ka paraqitur presidentit Lotito edhe emrat e Xherdan Shaqirit dhe mbrojtësit Maksimoviç. Shkodrani mund të quhet një “ushtar” besnik i “komandantit” Sarri, pasi ka qenë me të edhe tek Empoli, dhe po ashtu tek Napoli, madje me teknikun napolitan ka luajtur 243 nga 332 ndeshjet gjithsej si futbollist profesionist.

“Il Korriere delo Sporti” shkruan edhe se Milani ende e ka në plane Hysajn, dhe momenti është i tillë që i jep mundësi më të mëdha 27-vjeçarit. Ai është pa kontratë në fund të muajit, ndërsa kriza financiare e shkaktuar nga koronavirusi, ka bërë që klubet të preferojnë lojtarë me parametër zero. Edhe në Angli, e theksojnë fort këtë tezë, ndërsa ka opinione se klube si Njukasëlli duhet të provojnë fatin për të marrë mbrojtësin e djathtë të kombëtares shqiptare. Njukasëlli luan në Premier Ligë dhe sërish do të ishte një mundësi e mirë për 27-vjeçarin kuqezi.

Sfidanti.al