Elseid Hysaj është tashmë i preferuari i Sarrit tek Lacio!

Këtë sezon ka luajtur jo pak, por 26 ndeshje. Elseid Hysaj mund të thotë me gojën plot se e ka fituar sfidën e tij tek Lacio dhe është kthyer në të pazëvendësueshëm për trajnerin e tij, Mauricio Sarri. “Revanshi i Hysajt, shkruajnë mediat e kryeqytetit, shqiptari preferohet përpara Lazarit dhe Pelegrinit!” Një arritje që nuk besohej se mund të realizohej pas një fillimi tepër të vështirë të karrierës me Lacion. Gjithsesi, Sarri nuk e mori rastësisht në ekip, dhe pasi i dha kohën e duhur, mori përgjigjen që priste. Edicionin e kaluar, mbrojtësi i kombëtares shqiptare shënoi një gol, diçka që këtë vit nuk e ka bërë, por ka qenë shumë më i rregullt.

Në Serinë A, në Ligën e Europës apo tani në Ligën e Konferencës, 29-vjeçari është bërë alternativë e parë në rolin e tij në repartin mbrojtës të kryeqytetasve. E gjithë karriera e Hysajt në Itali ka ecur përpara krah për krah me Sarrin. Mbrojtësi shkodran u rrit me Empolin, duke nisur në Serinë B e duke luajtur pastaj në Serinë A. Kur Sarri kaloi tek Napoli ai e mori me vete atë që mund të quhet nxënësi i tij. Në total, futbollisti kuqezi ka 262 ndeshje në Serinë A dhe shumë të tjera në B e në Kupën e Italisë, pa llogaritur sfidat në Europë. Kthimi i tij në formë do të ndihmojë edhe kombëtaren shqiptare e cila këto kohë po vuan nga dëmtimet dhe mungesa e aktivizimit për mjaft lojtarë.

Sfidanti.al