Në fushë ndaj Nimës doli me të vërtetë një formacion jo edhe aq i zakonshëm. Përveç portierit Kejlor Navas, mbrojtësit Kimpembe, mesfushorit Paredes dhe sulmuesit Kilian Mbape, Paris SG pati lojtarë që zakonisht janë mësuar të jenë rezervë: Baker, Dialo, Florenci (i ardhur së fundmi nga Roma), Rafinja, Geje, Kean apo Sarabia. Mungesat ishin të shumta, me Nejmarin, Di Marinë, Verratin, Ikardin e të tjerë. Gjithsesi, edhe këtij PSG-je me një “dhëmb në gojë” i mjaftoi ai “dhëmb” për të stërfituar në Ligën e Parë të Francës. Kilian Mbape shënoi 2 gola, në minutat 32 e 83, Florenci shënoi në 77’ dhe Sarabia në 88’. Gjithsesi, fitorja jashtë fushe nuk ishte aq e lehtë sepse Nima luajti me 10 vetë që nga minuta e 12-të (!!!), dhe deri në të 77-ën rezultati ishte 0-1. Mbape ka tani 4 gola e 3 asistë në vetëm 4 ndeshje të luajtura këtë sezon në kampionat. Paris SG ka 15 pikë duke qenë në krye të renditjes pas 7 javësh.
Sfidanti.al