Nga Sër Aleks Fergusoni te Klopi, fitorja e dytë e Karlo Ançelotit!

Italiani vuri këmbë për herë të parë në Angli në vitin 2009, menjëherë sapo Mançester Junajtidi fitoi një garë të madhe për titull me Liverpulin e Rafa Benitezit. Karlo Ançeloti u bë trajner i Çelsit në vend të Gus Hidinkut, dhe Sër Aleks Fergusoni bëri menjëherë vlerësimin e tij. “Benitezi të mos thotë se do të jetë rivali ynë më i madh edhe këtë vit, – tha trajneri i Junajtidit, – ardhja e Ançelotit e bën Çelsin si sfidantin më të madh”. Parashikim profetik sepse Blutë e Londrës u shpallën kampionë në 2010, madje me rekorde.

Tashmë është radha e një trajneri të Liverpulit që të vlerësojë Ançelotin. Kohë të tjera, poste të tjera, dhe Jurgen Klopi flet për “Karleton”, tashmë teknik i Evertonit. Këtë të shtunë në orën 13:30 do të luhet derbi i Mersejt, pra Klopi do të jetë përballë italianit, me Evertonin që kryeson renditjen me 12 pikë në 4 ndeshje ndaj 9 që ka Liverpuli. “E dija që kur Ançeloti erdhi tek Evertoni, se ai do të ishte rival për titull”, – ishin fjalët e gjermanit. Pra një tjetër vlerësim për Ançelotin, por duhet të shohim nëse Evertoni do të shpallet kampion si Çelsi në 2010.

Sfidanti.al