Edhe Kumani pohon se Barça bëri një hap drejt titullit

Për ekipin e tij duhen edhe 6 ndeshje, dhe bëhet fjalë për shumë. Janë plot 18 pikë që ka në dispozicion për t’i fituar ose për t’i humbur Barcelona, veçse suksesi në fushën e Vijarrealit ishte i tillë që i bëri “blaugranët” me “krahë”. Fitore 2-1 në një stadium tepër të vështirë (më i vështiri nga të gjithë që kanë mbetur), ndërsa La Liga vjen e përfundon, me Barçën që ka 71 pikë në 32 ndeshje, ndaj po 71 të Realit me 33 ndeshje, kur është afruar edhe Sevilja me 70 në 33.

Ndaj “nëndetëses së verdhë” heroi nuk ishte Lionel Mesi, të paktën jo përsa i përket golave, sepse ata u shënuan nga Antuan Grizman. Sulmuesi francez po luan sezonin më të mirë në “Kamp Nou” dhe trajneri Ronald Kuman është shumë i lumtur që të dy sulmuesit janë bërë të rëndësishëm, pasi i tillë është edhe Usman Dembele. “Ky është një hap i madh për titullin, – tha Kumani, – sidomos jam i lumtur me aftësinë e reagimit të skuadrës sime, duke përmbysur rezultatin e duke krijuar edhe raste të tjera. E kisha thënë që më parë se kjo do të ishte një ndeshje shumë e rëndësishme në garën për titullin me Atletikon, Realin apo Seviljen. Çdo ndeshje është e vështirë”.

Sfidanti.al