Portieri i Realit të Madridit, Kejlor Navas, pavarësisht nga lajmet e përhapura se gjatë këtij dimri ai do të largohet nga klubi “mbretëror”, pranoi që ta vazhdojë kontratën e tij deri në qershor 2021. Lajmin e konfirmuan edhe burime të brendshme të Realit, sipas të cilëve, në baza të kontratës së re gati trevjeçare, ky portier kostarikanas 32-vjeçar do të marrë pesë milionë euro në vit që do të thotë se praktikisht ai do ta përfundojë karrierën në Madrid.
Navasi e humbi vendin si portier i parë i Realit, qëkur verën e kaluar erdhi nga Londra portieri belg Tibo Kurtoa që deri atëkohë luante me Çelsin. Një gjë e tillë e bëri të pakënaqur Navasin që disa herë paralajmëroi largimin e tij të mundshëm nga “Santiago Bernabe”. Nga Londra erdhi lajmi se Arsenali kishte ofruar tanimë 16 milionë sterlina për të, por, sikurse duket, kryesia e Realit gjeti mënyrën që ta motivojë portierin kostarikanas që ai të qëndrojë në “Bernabe” edhe tre vite të tjerë.
Gjatë këtij sezoni, Navasi e ka mbrojtur portën e Realit në tri ndeshje të Ligës së Kampioneve, ndërkohë që ka luatur në 96 ndeshje me bluzën e klubit “mbretëror”, qëkur ai ka ardhur në Madrid.
Sfidanti.al