Nuk ishte përkrahës londinez, por njëri nga ata vendas. Një tifoz i Blekpullit u ngjit papritur në majë të autobusit të skuadrës së Arsenalit, që do të luante ndeshjen e turit të tretë në Kupën e Anglisë. Tifozi, që mbeti i paidentifikuar, hipi mbi autobusin e parkuar pranë hotelit Marriot në Preston, aty ku ishte vendosur Arsenali. Policia britanike u soll butë, duke mos e ulur poshtë me dhunë, sepse vlerësoi se kjo ishte një protestë normale, dhe që nuk do ta pengonte Arsenalin të shkonte në stadiumin “Blumfild Roud”.
Gjithsesi, londinezët u detyruan të pajtonin autobus tjetër për të shkuar në ndeshje, pasi tifozi nuk dëshironte të zbriste nga mjeti. Mediat britanike shkruan se shumë tifozë të Blekpullit po protestojnë prej kohësh ndaj pronarit të klubit, Ouen Ojston, me shumë gjasë për shkak të çmimit të biletave apo të abonimeve vjetore. Kaq e shqetësuar ishte policia nga ndonjë protestë në stadium, saqë kishte vendosur 20-30 agjentë brenda impiantit, ndonëse zakonisht forcat e rendit qendrojnë përtej rrethimit të jashtëm.
Sfidanti.al