Edhe Barça e dobët nuk humbet, madje fiton si ndaj Atletikos!

Nuk mund të thuhet se ishte një “poezi” Barcelona që pati përballë Atletikon e Madridit në “Kamp Nou” këtë mbrëmje së shtune. Emrat, dakord, ishin të gjithë aty, me Ter Shtegenin, Pikenë, Zhordi Albën, Kutinjon, Suarezin apo Mesin, por jo loja e dikurshme. Gjithsesi, kjo skuadër ka fituar edhe një cilësi negative, që nuk të kënaq gjithnjë, edhe një shumë të dobishme, se fiton edhe kur nuk bind.

Atletiko, së cilës i bënte punë vetëm fitorja, ishte më kërkuese kur dy ekipet ishin me forca të barabarta në fushë. U dëmtua shumë kur sulmuesi kryesor Diego Kosta mori karton të kuq direkt për ofendim të gjyqtarit, por ia doli ta përballonte Barcelonën edhe në inferioritet. Falë portierit më të mirë të Spanjës, Oblak (8 pritje në këtë sfidë), dhe falë karakterit e unitetit, Atleti ishte shumë lart në krahasim me versionin e shëmtuar të humbjes 0-3 në fushën e Juventusit në Champions.

Pati edhe raste për të shënuar e fituar, me Rodrin e Grizmanin, ndonëse shumë pak në krahasim me katalanasit. Si mund të ishte ndryshe kur luanin me 10 vetë? Barcelona, për fatin e saj të mirë dhe fatin e keq të kundërshtarëve, ka në fushë pikërisht ata emrat që bëjnë diferencën. Luis Suarez, një nga personalitetet më të rëndësishëm të ekipit, shënoi golin e parë duke mposhtu më në fund Oblakun në 85’. Një minutë më vonë, Lionel Mesi “bëri qejf” me mbrojtjen mike për të shënuar golin e dytë.

Skuadra e trajnerit Valverde ka tani 73 pikë në 31 ndeshje, duke qenë 11 pikë mbi Atletikon, kur ka edhe 7 sfida për t’u luajtur. Mesi ka 33 gola në La Liga e Suarez 20, duke qenë dy golshënuesit më të mirë. Argjentinasi ka gjithsej 43 gola këtë sezon, në vetëm 40 ndeshje. Tashmë vëmendja zhvendoset tek dueli në Champions me Mançester Junajtidin në “Old Traford”.

Sfidanti.al