Kampionati modern anglez mbush 25 vjeç dhe është koha për anketa dhe ndarje çmimesh. Një nga sondazhet më të rëndësishëm ishte ai për golin më të bukur në këtë çerek shekulli që klubet kryesorë në ishull krijuan një ligë krejtësisht të vetën, të ndarë nga liga tradicionale që menaxhonte katër kategoritë me 96 skuadra. Plot gjysmë milionë njerëz “hodhën” votën e tyre në mënyrë elektonike, onlajn (online), dhe në vend të parë nxorrën rrjetën e jashtëzakonshme të Denis Bergkampit ndaj Arsenalit në vitin 2002.
Holandezi i ri fluturues (pas Krujfit dhe Van Bastenit) pati një realizim krejt të veçantë, duke qenë me shpinë nga porta, dhe duke pasur fare pranë mbrojtësin Nikos Dabizas. Bergkamp preku topin me majën e këpucës duke e kaluar djathtas, bëri një lëvizje mashtruese me krah, dhe pastaj u kthye majtas, duke i fituar kohën mbrojtësit. Me epërsi në lëvizje, Bergkamp mbërriti tek topi përpara Dabizasit dhe u ndodh përballë portierit Shei Given, duke ia kaluar topin me të majtën në rrjetë.
Goli i Bergkampit mori 31 për qind të votave, në vend të dytë doli goli i Toni Jeboas për Lidsin ndaj Uimbëlldonit në 1995, pastaj në vend të tretë roveshata e Uejn Runit në derbin e Mançesterit në 2011. Pesë vendet e para u plotësuan me golin e rrallë individual të Tieri Henrisë për Arsenalin ndaj Totenhemit në 2002, dhe me golin e Arsenalit, në një përpjekje kolektive në 2013 ndaj Noruiçit, përfunduar nga Xhek Uilsher.
Sfidanti.al