Ka një muaj të tërë që media kroate është mbushur më lajme se gjysma e Evropës po “lufton” që të sigurojë shërbimet e “perlës” së re të Dinamos së Zagrebit, Filip Benkoviç, për të cilin alfa dhe omega e klubit dinamovit, Zdravko Mamiç, ka hedhur poshtë edhe një ofertë prej 25 milionë eurosh, pasi mendon se ai vlen, të paktën, 10 milionë euro më shumë. Interesim për futbollistin e ri të talentuar ka treguar një numër klubesh të mëdhenj, por, tani për tani, ai nuk do të lëvizë nga Zagrebi. Por, nga familja Benkoviç, sidoqoftë, do të jetë dikush që do të lëvizë, ajo është motra e stoperit të ri të talentuar. Të gjithë te Dinamoja prisnin që, gjatë sezonit dimëror të transferimeve, deri në ditën e fundit, të vinte ndonjë ofertë bombastike për Filipin, por në adresë të klubit erdhi një ofertë nga Arsenali dhe jo për Filipin, por për motrën e tij, Petra, dy vite më të vogël. Filipi luan si stoper, kurse e motra luan si sulmuese dhe bën pjesë në përfaqësuesen kroate të të rejave, por, sidoqoftë, Petra, tani për tani, nuk ka ndërmend që të shpërngulet për në Londër.
“Mua më ka ardhur një ofertë nga Arsenali, por unë nuk kam ndërmend që të largohem nga Dinamo, sepse kam akoma hapësirë që të përmirësohem më shumë si lojtare. Po ashtu, unë dua që të vazhdoj studimet e larta në Zagreb, dua të regjistrohem në Fakultetin Filosofik. Shpresoj që, në të ardhmen, të më vijnë oferta të tjera”, tha vetë futbollistja e re kroate, Petre Benkoviç.
Sfidanti.al