As aftësia pragmatiste e Masimiliano Alegrit nuk mund t’ia shërojë plagët kësaj skuadre. Në një kohë që në Itali po thurnin lavde për Juventusin që “u ngrit nga varri” për të pretenduar “skudeton”, Championsi tregoi edhe një herë se “Zonja e Vjetër” nuk është aspak një “zonjë e vërtetë” kur kalon kufijtë e Italisë. Eleminimi i radhës, që në raundin e dytë, ishte tepër i dhimbshëm dhe tronditës, pavarësisht se mungesat ishin të shumta. Një humbje 0-3 në Torino ndaj Vijarrealit nuk ka emër që t’i vesh, aq më tepër që nuk ndodhi kundër Realit apo Barcelonës.
Edhe pse italianët patën epërsi në lojë me dyfishin e gjuajtjeve, me kornet 7-2 dhe me shumë më tepër pasime (602-440), kjo nuk bëri punë. Në fund ishte një dorëzim, një disfatë e madhe që tregon se Juventusi është shumë larg rikthimit në vitet 2015-2017 kur arriti dy finale të Championsit pikërisht me Alegrin. Të mos flasim për epokën e Trapatonit në vitet 80-të apo të Lipit në vitet 90-të. Përse kështu? Me gjasë, sepse vetë Seria A nuk është më ajo që ka qenë në vitet 80-90-të. Ekipi i sotëm, pa personalitetet udhëheqëse të së kaluarës u dorëzua në 15 minutat e fundit. Gerard Moreno shënoi me penallti në 78’, Pau Torres realizoi për 2-0 në 85’ dhe Arno Danzhuma shënoi në 90’, gjithashtu me penallti.
Juventusi (4-4-2): Shezni, Danilo, De Ligt, Rugani (Dibala 79’), De Shilio, Kuadrado, Lokateli (Bernardeski 83’), Artur, Rabio, Vlahoviç, Morata.
Vijarreal (4-4-2): Ruji, Orie, Albiol, Torres, Estupinan, Pino (Çukueze 65’), Pareho, Kapue, Trigeros (Kokelen 65’), Lo Selso (Gerard Moreno 74’), Danzhuma.
Sfidanti.al