Çelsi (ende) nuk do t’ia dijë për krizën, “banda” e Tuhelit në çerekfinale të Championsit!

Jo më kot është skuadra kampione në fuqi, dhe duket se këtë sezon objektivi kryesor dhe i vetëm i mundshëm mbetet Liga e Kampionëve. Çelsi arriti çerekfinalet me fitoren 2-1 në fushën e Lilës, një sukses që nuk do të quhej i jashtëzakonshëm nëse nuk do të ishte një situatë kaq e vështirë. Merita më e madhe e trajnerit Tuhel është që u ka ngulur në mend yjeve të tij se çfarë përfaqësojnë, se pavarësisht krizës së klubit, ata duhet të luajnë për emrin dhe lavdinë e tyre. Deri tani, tekniku gjerman ia ka dalë për bukuri. Kristian Pulishiç dhe kapiteni Azpilikueta përmbysën rezultatin në 2-1 pasi Burak Jilmaz shënoi me penallti për francezët, ndërsa Romelu Lukaku nuk ishte sërish titullar. Çelsi kishte fituar 2-0 në “Stemford Brixh”. Tashmë njihen çerekfinalistët e Championsit: Bajerni, Reali, Mançester Siti, Liverpuli, Atletiko, Benfika, Çelsi dhe Vijarreali. Asnjë skuadër italiane në katërshe, 3 angleze, 3 spanjolle, 1 gjermane dhe një portugeze.

Çelsi (5-3-2): Mendi, Azpilikueta, Kristensen (Çalobah 33’), Tiago Silva, Rydiger, Alonso, Kante, Zhorginjo (Loftus Çik 74’), Kovaçiç (Maunt 46’), Haverc (Zijeç 83’), Pulishiç (Lukaku 74’).

Sfidanti.al