Nëse luan në dy ndeshje radhazi në inferioritet lojtarësh ndaj Realit, është e vështirë që të kërkosh të fitosh. Kjo i ndodhi Bajernit në të dyja çerekfinalet dhe përfundimi ishte dy humbje. Përballja në “Bernabeu” shkoi sipas planeve të bavarezëve të Karlo Ançelotit sa kohë forcat në fushë ishin të barabarta dhe dy skuadrat e mëdha të kontinentit u desh të luanin dy kohët shtesë nga 15 minuta për të përcaktuar fituesin.
Robert Levandovski kishte kaluar Bajernin në epërsi me penallti të qartë, Kristiano Ronaldo kishte barazuar dhe augoli i Sergio Ramosit kishte kthyer gjermanët në avantazh. Për fat të keq, një vendim i nxituar i gjyqtarit hungarez, Kasai, ndryshoi ekuilibrin. Arturo Vidal mori karton të kuq në 84’, për një faull që nuk ekzistonte, jo më të jepej kartoni i dytë i verdhë, dhe pas kësaj gjithçka ndryshoi. Ançeloti u detyrua të hiqte sulmuesin e vetëm që mund të shënonte, Levandovskin, për të forcuar prapavijën (në lojë Kimih), por katastofa në shtesë nuk u evitua.
Kristiano Ronaldo shënoi edhe dy herë të tjera (105’, 109’), duke arritur në 103 gola në kompeticionet europiane, ndërsa zëvendësuesi Asensio shënoi rrjetën numër 4 për vendasit. Veçse, ndihma e gjyqtarit ishte e qartë në golin e dytë vendimtar, atë të barazimit. Kristiano Ronaldo ishte në pozicion të qartë jashtë loje. Reali arrin gjysmëfinalen e shtatë radhazi të Championsit, edhe pse jo me lavdinë që priste.
Në gjysmëfinale dhe Atletiko që barazoi 1-1 në fushën e Leisterit në Angli. Skuadra tjetër e Madridit kishte fituar 1-0 në shtëpi me golin e Antuan Grizmanit me penallti, dhe kaloi e para në avantazh me anë të Saulit në 25’. Barazoi Xhemi Vardi në 61’, por kampionia e Anglisë nuk mund të bënte më shumë se kaq.
Sfidanti.al