Në “Rolan Garos”, dy vjet radhazi pati përballë njeriun e jashtëzakonshëm të Parisit, Rafael Nadalin. Këtë radhë, në “Rod Lejvër Arena” do të luajë finalen e Australian Openit ndaj numrit 1 të të gjitha kohëve në Melburn, Novak Gjokoviçit. Qenka fati i Dominik Timit që të masë forcat me “Mbretërit” e Grand Slemeve për të synuar fitoren e tij. Austriaku fitoi me meritë, por edhe më shumë vështirësi, gjysmëfinalen ndaj gjermano-rusit Aleksandër Zverev, dhe të dielën ndeshet me serbin e lavdishëm.
Fitorja ishte 3-1 me rezultatin e seteve 3-6, 6-4, 7-6 e 7-6, ndërsa Timit iu deshën 3 orë e 42 minuta. Ndaj Nadalit, në çerekfinale, pati një tjetër betejë të madhe me 4 orë e 10 minuta, pra në total u lodh për 7 orë e 52 minuta. Nuk dihet sesa do të ndikojë kjo tek finalja ndaj Gjokoviçit. “Ai është mbreti i Australisë, pra unë gjithnjë jam i detyruar të ndeshem me mbretërit e Grand Slemeve, – tha Timi, – do të bëj maksimumin, dhe duhet të bëj durim. Ndaj Zverevit ishte shumë e vështirë”.
Ndoshta, ka ardhur momenti që yjet e rinj të nisin të marrin stafetën ndaj të vjetërve. Me Nadalin e Federerin jashtë, mbetet Gjokoviç i cili nuk ka një bilanc të jashtëzakonshëm ndaj Timit, 6 fitore e 4 humbje, madje austriaku ka fituar dy ndeshjet e fundit.
Sfidanti.al