Efenbergu paralajmëron Bajernin: Jo e lehtë të kërcesh në tre “dasma”!

E ka ditur se çfarë ishte presioni për të luajtur në të gjithë frontet. Stefan Efenberg është një lavdi e vjetër e Bajernit, një ish-mesfushor me personalitet dhe ish-kapiten, ndaj edhe kur flet apo shkruan kolonën e tij opinioniste në “Sport Bild”, gjithnjë ia do të mirën klubit bavarez. i mbiquajturi “Efe” gjykon se skuadra e trajnerit Flik po ecën mbi “një cipë të hollë akulli”, pra që mund ta thyejë qafën në çdo moment.

“Nuk është e lehtë të kërcesh në tre “dasma”, – shkruajti ai me shprehjen e urtë popullore gjermane, – Bajernit nuk i lejohet asnjë gabim, pasi në Champions sidomos gjithçka mund të marrë fund shpejt, më e lehtë në Kupën e Gjermanisë, ndërsa në Bundesligë do të ketë rivalë”. Ai vlerësoi punën e trajnerit Flik, ndonëse theksoi se dy humbjet me Leverkusenin dhe Gladbahun treguan se vazhdimësia edhe mund të mungojë. Po sherri mes Boatengut dhe Goreckës? “Kjo tregon se tek Bajerni lojtarët janë të gjallë dhe të hedhur, janë ambiciozë, – u shpreh ai, – është më mirë kështu, sesa që lojtarët t’i japin lule njëri-tjetrit para stërvitjes”.

Sfidanti.al