Koha nuk pret dhe Zllatan Ibrahimoviç mund të vizitohet edhe ditën e sotme për të gjetur një zgjidhje për dëmtimin e tij të rëndë në gju. Mediat britanike shkruajnë se sulmuesi i Mançester Junajtidit do të duhet të kapërcejë Atlantikun, për t’u vizituar nga specialisti i famshëm amerikan, Doktor Fredi H Fu. Kirurgu ortopedik, që jeton dhe punon në Pitsburg, njihet si doktori më i aftë për rindërtimin anatomik të ligamentit kryq të jashtëm dhe mendohet si njeriu më i përshtatshëm për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare Ibrës lidhur me shpresën për të vazhduar karrierën dhe kohën e një rikuperimi të mundshëm.
Ibra do të shkojë në Pitsburg së bashku me shokun e tij të skuadrës, Markos Roho, i cili ka gjithashtu dëmtim të rëndë në gju. Zllatan u dëmtua në Ligën e Europës ndaj Anderlehtit, ndërsa trajneri Murinjo nuk ka dëshirë të bëjë deklarata para kohe lidhur me futbollistin e tij më të mirë. Ai do të presë vlerësimin e doktor Fredit përpara sesa të bëjë planet e tij. Gjithsesi, sulmuesi suedez ka shumë pak shanse që të kthehet në fushë përpara janarit, ndaj edhe Junajtid duhet të mendojë sesi do të jetë kontrata e tij e re. Ibra shpreson të jetë vitin e ardhshëm në Champions me Man. Junajtidin, për të fituar të vetmin trofe që nuk e ka fituar ndonjëherë, por besohet se do të duhet të pranojë ulje rroge në “Old Traford”.
Sfidanti.al