Divorci i pabesueshëm i Kontes nga Interi, kur nuk ka para nuk ka sukses!

Erdhi për të fituar dhe do të largohet si fitues. Antonio Konte nuk zhgënjen kurrë skuadrat dhe klubet ku shkon, por po ashtu nuk e ka problem të përplasë derën e të ikë kur është i pakënaqur, dhe kështu bëri edhe tek Interi. Trajneri italian, që mund të cilësohet padyshim i shquar, vendosi të ndante rrugët me zikaltërit, sipas të gjitha gjasave për arsye se nuk pranoi uljen e shpenzimeve nga presidenti Çang. Pasi fitoi titullin në një sezon të madh e të vështirë me probleme financiare, ai nuk deshi të provonte një tjetër të tillë.

Ambicia për të vazhduar dominimin në Itali dhe për të synuar Championsin pati frikë se nuk do t’i plotësohej, ndaj vendosi të ndahej si kampionat. Klubi konfirmoi zërat që po shtoheshin me komunikatën zyrtare. “Interi njofton se është arritur marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës me trajnerin Antonio Konte. i gjithë klubi e falenderon Antonion për punën e jashtëzakonshme, të kulmuar me fitoren e titullit të 19-të. Konte do të mbetet përgjithmonë në historinë e klubit tonë”.

Në dy sezone, tekniku arriti finalen e Ligës së Europës, doli nënkampion e pastaj kampion i Serisë A. Në të kaluarën, fitoi 3 tituj me Juventusin, fitoi Premier Ligën me Çelsin dhe drejtoi me sukses kombëtaren e Italisë. Tani nuk dihet se ku do të shkojë, por mundësitë janë të shumta në Angli, ndoshta në Francë dhe pse jo për një rikthim tek Juvja.

Tifozët interistë ndërkaq e shprehën gjithë pakënaqësinë e tyre me klubin që po provon vështirësi financiare. Ata protestuan duke kërkuar që stafi teknik dhe skuadra të mos prekeshin, por ndodhi ndryshe. Drejtuesit po mendojnë për pasardhësin dhe në Itali jepen emrat e ish-trajnerit të Juventusit, Masimiliano Alegri, të trajnerit të Lacios, Simone Inzagi, të ish-trajnerit të Napolit e të Juventusit, Mauricio Sarri dhe të trajnerit të Bolonjës, Sinisha Mihajloviç.

Sfidanti.al