Dëshpërimi i Flikut me Bajernin: As tani nuk e kuptoj sesi u arrit deri këtu!

Ajo që ishte mërzi për tifozët bavarezë, u kthye në lumturi të madhe për gjithë publikun në Gjermani sepse ish-trajneri i kampionëve u bë teknik i kombëtares. Hansi Flik nuk mbeti pa punë kur iku nga Bajerni, përkundrazi, edhe pse u duk habi që një trajner karriere që shkëlqeu në Mynih u bë drejtues i një ekipi përfaqësues, që cilësohet si “punë pensionistësh” (Luis Enrike apo Didie Deshamp nuk do të ishin dakord). Gjithsesi, Hansi Flik tregon se ai nuk kishte aspak dëshirë të largohej nga “Alianc Arena”, as nuk ishte i lodhur, as nuk kishte probleme në ekip. Çfarë problemesh, pra, pati ai? Vetëm me një njeri, drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiç. “Më vjen mirë që ne tani kemi arritur të sqarojmë shumë nga gjërat, – thotë Fliku, – por, ndoshta disa gjëra do të ishin bërë ndryshe, do të ishte biseduar ndryshe. Ende nuk e kuptoj sesi u arrit deri këtu”.

Sfidanti.al