Se kush do ta rrijë ende nuk dihet plotësisht ndonëse parashikimi thotë “Juventus”. Luhet sot në orën 20:45 gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Italisë, mes kampionëve dhe Interit, dhe me avantazhin 2-1 të “Zonjës së Vjetër” nga Milano. Trajneri Andrea Pirlo paralajmëron lojtarët e tij. “Finalen e Kupës duhet ta arrijmë me çdo kusht, – thotë ai, – kemi fituar ndeshjen e parë, luajmë në fushën tonë, nuk mund t’i lejojmë vetes gabime”. Nga ana tjetër është Konte që ka po këtë kërkesë nga lojtarët zikaltër. “Dua finalen dhe pikë, – thekson ai, – mjaft dhe dhurata për kundërshtarin. Juventusi nuk ka nevojë për to”.
Vendasit nuk do të kenë mesfushorin brazilian, Artur, po ashtu edhe Morata është në dyshim, ndërsa nuk ka siguri as Paulo Dibala. Gjithsesi, mjafton Kristiano Ronaldo dhe yjet e tjerë. Besohet se Bonuçi do ta ketë lënë pas dëmtimin e pësuar në kampionat ndaj Romës. Kuadrado cilësohet i domosdoshëm sepse me të në fushë Juvja ka arritur 5 fitore. Po Interi? Vidal nuk luan ndërsa ka konkurrim të 3 lojtarëve për një vend në formacion. Eriksen duket i favorizuar, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Lukaku-Lautaro Martinez.
Sfidanti.al