I mbani mend fjalët e De Biazit kur do të luanim kundër Spanjës në Shkodër ? Le ta sjellim më afër. Kur dikush e kishte pyetur se si do të luanim kundër “hajdutëve të topit” , ai e kishte patur gati përgjigjen: “ Do të parkojmë autobuzin para portës..”. Kjo frazë ndodhet në muzeumin kuqezi, si një nga përgjigjet më të sinqerta , sidomos kur kujton “racizmin teknik” në lojë, pasi ata gllabëruan topin dhe fushën, duke shëtitur “pa bilete” në autobuzin tonë.. për 7 palë qejfe. Përse e kujtuam këtë ndeshje, për të cilën ishim betuar se nuk do ta zinim më në gojë, kur “xhuxhat” nuk na lanë të kalonim as mesin e fushës. Arsyeja është e madhe: De Biazi ka firmosur me klubin spanjoll të Alaveshit dhe ndeshjen e parë do ta luajë kundër Realit. Dhe kur? Tani që është tejet i zemëruar nga kritikat galaktike që ka marrë këto javë ku i ka lëshuar pe balonës deri tek humbja me Betis. A do të jetë Xhani në stol apo më mirë të ulet javën që vjen, se nuk i dihet se çfarë kurdisin Ronaldo me shokë? Sido që të jetë, kur përballë ka uraganin spanjoll të iberikeve, Realin e Madridit, De Biazi ka 100 arsye të ketë marrë me vete autobuzin që parkohet midis dy shtyllave…
Nuk e dinim, as na shkonte mëndja se ish-i ynë, me të cilin kemi flirtuar më shumë se me çdo trajner të huaj, do të meritonte një ekip me emrin liliput Alavesh. Kur e kishim ne në stol, na kishin prishur gjumin e natës me idenë se shumë përfaqësuese dhe një ushtri e tërë me klube ishin gati të na sulmonin për të na rrëmbyer “magjistarin” që na çoi në Europian. Disa , me naivitet dhe me të drejtën e Zotit, kujtonin se do të na merrnin presidentin, meqë ai bëri magjinë që na çoi në Francë, por shyqyr Zotit, shumica predikonin se ishte mrekulli e trajnerit dhe as nuk besohej për ndonjë marifet të pandershëm. Edhe drejtuesit e Alaveshit, që kanë harxhuar 5 ndeshje dhe nuk kanë mbledhur asnjë pikë, shpresojnë se shqiptarët nuk ia kanë konsumuar tërë magjinë ish-trajnerit te tyre, që u iku vetëm nga fusha, sepse ka mbetur në ekran, duke bërë një reklamë tejet turbulluese..duke na fshirë lotët.
Sfidanti.al