Pasi theu rekordin legjendar të Gerd Mylerit, nëpër media ka zënë vend kryesor një foto e sulmuesit polak me trupin të zhveshur nga mesi e lart, ndërsa feston golin e radhës. Nga kjo foto ndërtohet pyetja e gazetave gjermane: Cilën fanelë do të veshë në të ardhmen Robert Levandovski? Do të kthejë në trup atë të Bajernit, me të cilin u bë super i famshëm, apo do të provojë diçka tjetër në korrik (në titull kemi përdorur fjalën “shtator” sipas stilit të vjetër kur niste sezoni dikur).
“E ardhmja është e hapur, – thotë Levandovski, – do të më pëlqente të mësoja gjuhë të reja dhe kultura të reja, por nuk e di nëse kjo do të ndodhë gjatë kohës që luaj futboll apo më pas. Gjithsesi, tek Bajerni jam mirë. Qyteti është i shkëlqyer dhe luaj në një skuadër të madhe, jam në një klub të madh”. Do të qendrojë apo do të largohet, kjo është çështja! Pasi arriti gjithçka në Gjermani, ndoshta nxitja mund të jetë e fuqishme për të ikur. Ai është 32 vjeç, por mbetet në formë dhe vlera e kartonit mund të quhet e përballueshme, 60 milionë euro. Në të kaluarën ishte shumë pranë Realit, por ëndrra nuk u realizua. Mediat gjermane shkruajnë se polaku mund të shkojë në Angli ose në Spanjë, por jo në Francë.
Sfidanti.al