Cila është shpresa e Levandovskit për rekordin e Mylerit? Myleri!

Robert Levandovski do të jetë në fushë këtë të shtunë në orën 18:30, me synimin për të vazhduar ndjekjen e rekordit të Bundesligës të mbajtur nga Gerd Myleri. Sulmuesi i Bajernit ka 36 gola ndaj 40 që arriti “Bomberi i Kombit” në 1972, ndërsa mbeten edhe 3 ndeshje. Ai duhet të shënojë 4 gola në këto 3 ndeshje për ta barazuar, dhe 5 nëse do rekordin e ri personal. Sulmuesi polak duket në formë, veçse sa janë në formë ata që do ta ndihmojnë? E përditshmja “Bild” jep një tablo shqetësuese pasi shkruan se treshja Koman-Sane-Gnabri ishin 924 minuta pa gol në prill, që do të thotë 15 orë! Gjithsesi, shpresa më e madhe për Levën është Tomas Myleri, pasi ai ka dhënë 7 asistë në 7 ndeshjet e fundit të Bajernit. Me një ndihmë të tillë, polaku mund t’ia dalë duke nisur nga dueli me Gladbahun. Pra, një Myler do ta ndihmojë kundër një Myleri.

Sfidanti.al