Njukasëlli rihap garën për Champions në Premier, mund Leisterin

Ishte një humbje e rëndë, për atë që përfaqëson, por edhe për mënyrën sesi ndodhi dhe rezultatin përfundimtar. Leisteri u mund në fushën e vet, 2-4 nga Njukasëllit në javën e 35-të të Premier Ligës duke rrezikuar seriozisht shanset për të shkuar në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa konkurrentët nuk janë shumë larg dhe flitet për Uest Hemin, Totenhemin e Liverpulin. Njukasëlli arriti deri në 4-0 me gola të shënuar nga Xhozef Uilok, Pol Djumit dhe dy herë Kallëm Uilson. Vendasit reaguan vetëm në 10 minutat e fundit duke shënuar dy gola nderi me anë të Mark Albrajtonit dhe Keleçi Iheanaços.

Leisteri pati epërsi me 69 për qind mbajtje topi dhe me 25 gjuajtje drejt portës ndaj 14 të miqve, 9 në kuadrat ndaj 6. Gjithsesi, rezultati ishte 2-4. “Është shumë e lehtë të analizojmë, – tha trajneri Roxhers më pas, – ne bëmë kaq shumë gabime saqë është e lehtë të kuptosh se përse humbëm. Ne nuk i bëjmë normalisht këto gabime. Duhet të jemi shumë të përqëndruar sepse jemi pranë objektivit”. Leisteri ka tani 63 pikë pas 35 ndeshjeve, ndërsa Uest Hemi ka 58 në 34, Totenhemi 56 34 dhe Liverpuli 54 në 33 ndeshje. Gara për kualifikim në Europë vazhdon dhe ndoshta ekipi pa aq shumë përvojë i trajnerit Brendon Roxhers mund të mos e përballojë presionin deri në fund.

Sfidanti.al