As Irving e Durant nuk mjaftuan për Bruklinin ndaj Dallasit!

Pretendentja e madhe e Lindjes nuk mund të fitojë gjithnjë, dhe i tillë është ligji i NBA-së këta 2-3 vjet. Do të duhet ndoshta kohë që të shfaqet një tjetër skuadër si Golden Stejti i 2016-ës, ndërsa Bruklini u duk ekip normal në sfidën në Dallas. Edhe pse Luka Donçiç nuk ishte i jashtëzakonshëm, por thjesht i mirë, sërish njujorkezët nuk ia dolën. Donçiç shënoi 24 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 10 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa heroi fatkeq i ndeshjes ishte Kajri Irving. Ylli i Bruklinit shënoi plot 45 pikë duke pasur rreth 60 për qind saktësi në gjuajtje, kapi 5 topa në tabela, shërbeu 4 asistë, bëri 4 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh dhe e humbi topin vetëm një herë. Kjo nuk mjaftoi, siç nuk mjaftoi as Kevin Duranti me 20 pikë, 9 topa në tabela, por vetëm 3 asistë. Dallasi fitoi 113-109, ndërsa të dy ekipeve u mungoi nga një yll, Xhejmd Harden për miqtë dhe Kristaps Porzingis për vendasit. Bruklin është në vendin e dytë në Lindje, por thuajse barabar me Miluokin, ndërsa Dallasi u ngjit për herë të parë në vendin e pestë në Perëndim, kur duhen edhe 5-6 ndeshje deri në mbyllje të sezonit të rregullt.

Sfidanti.al