Champions, kualifikohen Siti, Barça e Atletiko dalin të parat!

Mançester Siti siguroi kualifikimin për të raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, ndërsa Barcelona dhe Atletiko e Madridit siguruan vendin e parë në grupe. “Me Mesin është histori tjetër” titullonte “Marka”, diçka që nuk dihet sesa herë e ka bërë. Rikthimi i argjentinasit e bëri të paprekshme Barçën që triumfoi 2-0 në Skoci ndaj Sëlltikut. Ishin rreth 58 000 tifozë në “Sëlltik Park”, por nuk mundën të shikonin lojën e vendasve, por spektaklin e miqve. Mesi shënoi pas topit të marrë nga Nejmar në pjesën e parë, realizoi penalltinë në të dytën, thuajse shënoi të tretin dhe shërbeu topin për shtyllën e Suarezit. Në Gjermani, Mançester Siti mori kualifikimin ndaj Borusias së Mynshengladbahut, me Rafaelin që kaloi vendasit në avantazh, dhe David Silvën që barazoi. Nga një karton i kuq u mor për çdo ekip.
Në grupin D, Atletiko siguroi vendin e parë me fitoren 2-0 në “Visente Kalderon” ndaj PSV Ajndhovenit. Kevin Gameiro dhe Antuan Grizman shënuan për vendasit që kanë 15 pikë (5 ndeshje, 5 fitore), ndaj 9 të Bajernit që u mund në Rostov. Në grupin B, Elseid Hysaj jo vetëm që nuk e siguroi dot kualifikimin, por rrezikon eleminimin. Napoli barazoi në “San Paolo” 0-0 me Dinamon e Kievit. Shtatëmbëdhjetë goditje nga këndi nuk sollën asnjë gol. Hysaj ishte titullar, ndërsa Gabiadini humbi disa raste. Në përballjen tjetër, Beshiktash realizoi mrekullinë ndaj Benfikës duke barazuar 3-3, ndërsa u ndodh në humbje 0-3. Portugezët tronditën stadiumin e Stambollit me golat e Gedesit, Semedos dhe Fejsës në pjesën e parë. Pas pushimit, Xhenk Tosun (58′), Kuarezma (83′) dhe Abubakar (89′) barazuan. Kualifikimi do të vendoset në sfidat e fundit, Dinamo Kiev-Beshiktash, Benfika-Napoli.
Në grupin A, Arsenali dhe PSG nuk ndanë dot se kush do të jetë i pari, por francezët arritën një barazim të rëndësishëm 2-2, që i nxjerr në krye. Kavani kaloi miqtë në epërsi, Zhiru barazoi me penallti, pastaj Verrati shkaktoi autogol për francezët, ndërsa Iuobi iu përgjigj po me autogol në portën e Arsenalit. Ludogorec-Bazel përfundoi 0-0. Ndeshjet e fundit janë Bazel-Arsenal, PSG-Ludogorec.
Grupi A: Arsenal-PSG 2-2, Lugodorec-Bazel 0-0. PSG e Arsenal nga 11 pikë
Grupi B: Beshiktash-Benfika 3-3, Napoli-Dinamo K. 0-0. Napoli e Benfika nga 8 pikë, Beshiktashi 7
Grupi C: Sëlltik-Barcelona 0-2, Borusia M.-Mançester Siti 1-1. Barcelona 12 pikë, Man. Siti 8.
Grupi D: Rostov-Bajern 3-2, Atletiko M.-PSV 2-0. Atletiko 15 pikë, Bajern 9.