Çelsi fiton “finalen” për Championsin, Leisteri rrezikon

Mjaftojnë pak ditë që festa të kthehet në mort, apo anasjelltas. Kështu, gëzimi i pamasë i Leisterit për fitoren historike të Kupës së Anglisë nuk pati vazhdimësi, dhe “tragjedia” pllakosi në “Stemford Brixh” ku Çelsi e mundi në sfidën e Premier Ligës. Përfundoi vetëm 2-1, ashtu siç u mbyll 1-0 finalja e Kupës, por kaq mjaftoi që dy ekipet të ndërronin vend në renditje, që Çelsi të hidhte hapin e madh drejt kualifikimit për në Champions sezonin e ardhshëm, dhe që Leisteri të rrezikojë të mbetet jashtë katërshes së parë.

Antonio Rydiger kaloi vendasit në epërsi në 47’, pastaj Zhorzhinjo me penallti shënoi të dytin në 66’, por Keleçi Iheanaço shkurtoi shifrat 10 minuta më vonë. U luftua fort deri në minutën e 10-të shtesë, edhe për shkak të vonesës nga një sherr që zgjati shumë, por asgjë nuk ndryshoi. Ekipi i Tomas Tuhelit e meritoi pasi luajti më mirë, bëri një paraqitje kolektive, mbajti 59 për qind topin në zotërim, pati 17 gjuajtje drejt portës ndaj 7 të miqve, dhe 6 në kuadrat (3). Plot 8 000 tifozë ishin lejuar të ktheheshin në stadium dhe atmosfera ishte e shkëlqyer. Çelsi ka 67 pikë në 37 ndeshje, Leister ka 66 në 37, ndërsa Liverpuli ka 63 pikë në 36 ndeshje. Nëse do të vendosë golaverazhi mes dy ekipeve të fundit, Liverpuli e ka +21 (63-42), ndërsa Leisteri +20 (66-46).

Çelsi: Mendi, Xhejms Tiago Silva, Rydiger, Azpilikueta (Zuma 88’), Kante (Kovaçiç 32’), Zhorzhinjo, Çiluell, Pulishiç, Maunt, Verner (Zhiru 90’+1). (Kepa, Alonso, Abraham, Hadson-Odoi, Zijeç, Emerton). Tr. Tuhel

Leister: Shmajkel, Kastanje, Fofana, Sojunxhu, Albrajton (Rikardo Pereira 67’), Tilemans, Ndidi, Tomas, Perez, Medison (Iheanaço 60’), Vardi. Tr. Roxhers

Sfidanti.al