Kur ke përballë skuadrën më të shquar të këtij konkurrimi, për më tepër me një grup yjesh me shumë përvojë dhe të sprovuar në gjysmëfinale e finale të Ligës së Kampionëve, nuk është e lehtë të jesh i qetë, të luash mirë e aq më pak të marrësh rezultat. Gjithsesi, Çelsi u duk se i kishte kapërcyer të gjitha këto komplekse ndërsa u përball me Realin në Madrid dhe mori një barazim të merituar 1-1. Blutë e Londrës ende nuk janë të kualifikuar dhe do të bënin gabimin më të madh po të mendonin kështu, por gjithsesi ata që ndoqën ndeshjen me të drejtë do të gjykonin se anglezët janë favoritë.
Trajneri Tomas Tuhel ka arritur t’u transmetojë lojtarëve të tij gjithë përvojën dhe karizmën e tij, po ashtu t’i ndihmojë që të japin më të mirën e tyre, duke qenë superiorë ndaj Realit në stadiumin “Alfredo Di Stefano”. Çelsi pati rastet më të mirë për shënim, sidomos ai i Vernerit ishte i pafalshëm, kaloi i pari në epërsi me Kristian Pulishiçin, dhe u desh një veprim klasi nga Karim Benzema që skuadra e Zidanit të shmangte humbjen.
Reali: Kurtua, Karvahal (Odriozola 77’), Militao, Varan, Naço, Marselo (Asensio 77’), Modriç, Kasemiro, Kros, Vinisius (Hazar 66’), Benzema (Rodrigo 90’+2). Tr. Zidan.
Çelsi: Mendi, Azpilikueta (Xhejms 66’), Kristensen, Tiago Silva, Rydiger, Çiluell, Kante, Zhorzhinjo, Maunt, Pulishiç (Zijeç 66’), Verner (Haverc 66’).
Sfidanti.al