Nagelsmani, djaloshi i rritur pranë Mynihut gjen më në fund Bajernin

Qyteti i tij i lindjes quhet Landsberg, një qytezë pranë Mynihut, dhe trajneri i sotëm është rritur si tifoz i Bajernit. Në Gjermani të njoftojnë se familja e tij e re jeton ende aty, dhe se Julian Nagelsmani ka thënë se “të jem pjesë e Bajernit është një nga ëndrrat e mia”. Kjo ëndërr tani po realizohet pasi ai do të marrë frenat nga duart e Hansi Flikut. Tepër i ri, vetëm 33 vjeç, Nagelsman ka një karrierë shumë të mirë pavarësisht moshës, pasi ka marrë suksese tek Hofenhajmi, dhe tani tek Lajpcigu ku suksesi është në nivelin 58 për qind. Bajerni ka besim tek ai dhe jo më kot i ka dhënë kontratë 5-vjeçare. “Kjo kontratë tregon sesa besim kemi ne tek Juliani, – thotë anëtari i bordit të Bajernit, Oliver Kahnm – jam i bindur se e ardhmja do të jetë shumë e mirë”. Presidenti Hainer pasi falenderon thellësisht Hansi Flikun thotë se “Nagelsmani i përket brezit të ri të trajnerëve, dhe do të vazhdojë punën e mrekullueshme të Flikut”.

Sfidanti.al