Duket se mendja e kampionit të botës është duke menduar dy gjëra njëkohësisht. Natyrisht, Kilian Mbape pëlqen të luajë me Lionel Mesin dhe Nejmarin në një treshe sulmi të paparë në botë prej shumë vitesh, e që ndoshta mund të jetë më e mirë e treshja e famshme e Barcelonës MSN (Mesi-Suarez-Nejmar). Nga ana tjetër, ai nuk dëshiron të dorëzohet për ëndrrën e tij për të veshur fanelën e Realit të Madridit e për të luajtur në La Liga. Mbape duhet të ndajë mendjen tani që presidenti i Paris SG, Naser Al Helaifi, deklaroi se “Kiliani nuk ka më asnjë justifikim për të lënë ekipin”. “Ai është lojtar i PSG-së, – tha presidenti, – dhe tani nuk ka justifikime”. Kjo pasi Al Helaifi e forcoi ndjeshëm skuadrën gjatë verës.
Sfidanti.al