Me Juventusin e mbylli mes lotëve, por Xhanluixhi Bufon do të vazhdojë të jetë profesionist i futbollit. Portieri nuk ka ndërmend të tërhiqet nga sporti që e mban gjallë, edhe tani kur ka mbushur 40 vjeç, ndërsa pritet të hedhë dritë mbi të ardhmen. Premier Liga apo Bundesliga janë dy nga mundësitë, të paktën me aq sa dimë.
Bufon mesa duket është në kërkim të rekordeve, edhe pse arsyeja kryesore që e shtyn përpara është pasioni, një ndjenjë aq e fortë sa që nuk e lejon të mendojë se duhet të nisë ndonjë karrierë “civile”, me kostum, çantë në dorë apo zyrë në dispozicion, ashtu siç do t’i takonte sipas moshës.
I duhet një vit që të mbërrijë Dino Xofin, që e mbylli karrierën 41 vjeç, ndërsa pak më shumë sakrificë do të nevojitet për të barazuar apo kapërsyer ish-portierin e Parmës, Balota, që luajti deri 44 vjeç. Këto janë rekordet për italianët, ndërsa në futbollin botëror rekordmen është Kazioshi Miura që po luan deri 51 vjeç, ndërsa përpara tij ka qenë legjenda Stenli Metjus që vari këpucët 50 vjeç.
Nuk dihet nëse do të ketë mundësi të fitojë të tjerë trofe, por edhe 23 që ka marrë deri tani mjaftojnë për ta bërë të madh. Që nga 1995-shi kur debutoi me Parmën, kanë kaluar 23 vjet, dhe fundi nuk duket edhe aq i afërt. Ditën që ai luajti ndeshjen e parë, i madhi Dino Xof u shpreh: “Kurrë nuk kam parë një debutim të tillë, me personalitetin dhe cilësinë që tregoi”. Kampioni i botës pati të drejtë.
Me Parmën fitoi Kupën e Superkupën e Italisë, si dhe Kupën UEFA. Me Juventusin u bë rekordmen për 9 tituj kampion, si askush në historinë e Serisë A, po ashtu mori 4 Kupa të Italisë dhe 5 Superkupa. Me Italinë u bë kampion i botës në 2006, e po ashtu fitoi Europianin U21 dhe Lojërat Mesdhetare. Dymbëdhjetë herë portieri më i mirë i Serisë A, 5 herë portieri më i mirë i botës, i shpallur nga IFFHS si portieri më i mirë i shekullit të 21-të.
Luajti 640 ndeshje në Serinë A, i dyti pas Paolo Maldinit me 647, duke lënë pas legjendat Françesko Toti e Havier Zaneti. i prishi punë një sezon në Serinë B, 2006-2007, pas Kalçopolit. Ai mban rekordin botëror të transferimeve të një portieri, kur Juventusi pagoi 52 milionë euro për ta marrë nga Parma në 2001. I vetmi peng i karrierës, që nuk dihet nëse do të ndryshojë, është mosfitimi i Championsit, pas 3 finaleve të humbura në 2003, 2015 e 2017.
“Deili Meil” (Daily Mail) komentoi kështu: Bufoni pa futbollin është si Supermeni pa uniformën e tij!
Sfidanti.al