Dështimi i dytë i Marsejës në 4 ditë, jashtë Championsit

E mërkura ishte ditë zie pas një finaleje të madhe të humbur, dhe një shansi po aq të madh, apo edhe më tepër. E shtuna ishte mundësia përfundimtare, pas së cilës vinte ose “dita”, ose “nata”. Olimpiku i Marsejës përjetoi 4 ditë ndër më të këqijat në histori, kur humbi përfundimisht të drejtën që të luajë në Champions sezonin e ardhshëm.

Pas disfatës në finalen e Ligës së Europës ndaj Atletikos (0-3), shpresat ishin tek fitorja në Ligën e Parë të Francës, por edhe tek gabimi i Lionit. Mbrëmja e së shtunës u tregua tepër cinike dhe e pazemërt, pasi Lioni sikur po e plotësonte profecinë, dhe nuk po fitonte dot në fushën e tij ndaj Nisës së Balotelit. Gjithsesi, lionezët e gjetën heroin e tyre, ish-lojtarin e Mançester Junajtidit, Depai, që shënoi 3 gola. Të fundit, vendimtarin në minutën e 86-të, duke zënë vendin e tretë, për të plotësuar 3 vende që Franca ka në Championsin e ardhshëm (PSG, Monako, Lion).

Marseja e trajnerit Rudi Garsia, pas një sezoni shumë të mirë, duhet të kënaqet me pjesëmarrje sërish në Ligën e Europës, ndonëse vetë trajneri thotë se “për ekipin tonë, ky është vetëm fillimi”.

Sfidanti.al