Broja sfidon 2022-in: Viti më i vështirë, por jeta të jep mundësi të tjera!

Mbyllet një vit që e bëri protagonist të madh. Armando Broja “pushtoi Anglinë me sulm” duke vendosur rekorde me fanelën e Sauthemptonit, por kur veshi bluzën e tij më të dashur, atë të Çelsit, nuk arriti lumturinë që ëndërroi. Pasi u aktivizua me pikatore, pak javë më parë atij i ndodhi dëmtimi i rëndë në gju që e goditi fort. Ndërsa doli me barrelë nga fusha e lojës në miqësoren ndaj Aston Vilës, sulmuesi 21-vjeçar kuqezi kuptoi se lëndimi ishte i rëndë dhe vizita mjekësore e konfirmoi, ai humbi sezonin. Ai nuk do të luajë në Premier Ligë, në Champions dhe në Kupën e Anglisë, madje nuk do të ndihmojë dot kombëtaren shqiptare në ndeshjet e para eliminatore të Kampionatit Europian.

Gjithsesi, pikërisht në fund të këtij viti, Broja botoi një mesazh në profilin e tij në Instagram, duke shprehur shpresën. Futbollisti i kombëtares shqiptare pohoi se 2022-shi mund të konsiderohet më i vështiri vit në karrierën e tij, por shtoi se bukuria e kësaj bote është se gjithmonë ka mundësi në të ardhmen. Ai shkruajti se mezi pret të kthehet në stërvitje e në fushë, ndërsa falenderon tifozët dhe njerëzit e familjes për mbështetjen. Gjatë gjysmës së parë të sezonit në Angli, Broja pati konkurrencë të ashpër tek Çelsi duke u aktivizuar kryesisht si zëvendësues, e duke shënuar një gol. Nuk dihet nëse në të ardhmen do të mbetet në “Stemford Brixh” apo do të shkojë tek Milani a diku tjetër, por së pari duhet të që kthehet në fushë.

Sfidanti.al