Broja nuk ka shans të duket në turpërimin e Çelsit në Brajton!

Trajneri Graham Poter e dinte sesa e vështirë do të ishte përballë një “makinerie” që e kishte krijuar vetë. Gjithsesi, as trajneri i Çelsit nuk e kishte menduar turpërimin që pësoi në stadiumin e Brajtonit, ndërsa u kthye në ish-shtëpinë e tij tashmë si kundërshtar. Vendasit “e përshëndetën” ish-trajnerin e tyre dhe ish-mbrojtësin e tyre, Kukureja, me një “breshëri” golash dhe ndeshja e Premier Ligës përfundoi 4-1. Goli i Trosarit, autogolat e Loftus-Çikut e Çalobahut dhe goli i Grosit vulosën rezultatin, ndërsa Kai Haverc shënoi një gol për 3-1 në 48’. Armando Broja hyri vetëm në minutën e 78-të për Çelsin, duke mos pasur mundësi të dallohej shumë dhe duke mos marrë ndonjë vlerësim me notë për aq pak kohë. Brajtoni luajti me ritëm shumë të lartë dhe Blutë e Londrës nuk e përballuan dot, ndërsa sulmuesi i kombëtares shqiptare vazhdon ta ketë të vështirë në ekip siç e tregon edhe minutazhi i paktë i aktivizimit.

Sfidanti.al