“Vendimi për t’u larguar nga Juventusi nuk është vetëm miell nga thesi im”. Këto janë disa nga fjalët e Leonardo Bonuçit, juventinit të madh, që tani është bërë kapiten i Milanit. Trajneri i kampionëve, Masimiliano Alegri, ka lënë të kuptohet në media se largimi ishte dëshirë e futbollistit, por Bonuçi ka një tjetër histori. “Zgjedhja u bë bashkë me klubin, – thotë ai, – vlerësimet për mua nuk ishin njëlloj si një vit më parë. Kuptohet, gjithçka nisi nga O’Porto, por pati edhe momente të tjerë që nuk ranë në sy të mediave. Juventusi dhe Alegri sezonin që kaloi bënë zgjedhje të qarta, dhe unë u detyrova po ashtu të bëja zgjedhjet e mia”.
Tek Milani e bënë kapiten, ndërsa fillimisht u tha se ishte i pakënaqur për “rrëmujën”. “Shiriti u vendos nga klubi, trajneri dhe skuadra, ndërsa me Montolivon kemi folur gjatë, – thotë Bonuçi, – rëndësi ka skuadra dhe jo kapiteni. Unë jam i habitur për pritjen që më kanë bërë, edhe për njerëzit që gjeta këtu, lojtarët jugamerikanë janë gati të sakrifikohen”. Parashikimi i tij është i rëndësishëm. “Për katër vjet duhet të fitojmë Championsin, dua të bëj tek Milani atë që Pirlo bëri tek Juventusi, duke bërë rrugën e kundërt”, – përfundon ai.
Sfidanti.al