Turneu i saj i fundit Grand Slem ishte në Australian Open në janar 2016. Më pas erdhi dënimi me 15 muaj pezullim për shkak doping, por Maria Sharapova u kthye e vendosur për ta vazhduar tenisin. Pasi nuk mundej të ishte në Melburn në 2017, ajo nuk mori ftesë në “Rolan Garos” të Parisit dhe në “Uimbëlldon” të Londrës, por Grand Slemi i katërt dhe i fundit i vitit ia dha gjithë kënaqësinë. Organizatorët e US Openit vendosën t’i jepnin ftesën,duke gjykuar se rusja bukuroshe kishte vuajtur mjaft, dhe se prania e saj do të ishte thjesht pozitive në Nju Jork. Në turne marrin pjesë 128 teniste dhe 8 prej tyre janë me ftesa.
“Masha” (e njohur edhe si “Pova”) e ka fituar këtë Çmim të Madh në 2006, ndërsa ka fituar gjithsej 5 Grand Sleme, si dhe ka qenë numri 1 i botës. Ajo jeton në SHBA prej shumë vitesh, dhe shpreson të ngjitet sërish në vendet e para të renditjes, pasi aktualisht është e 148-ta, shumë poshtë për të qenë automatikisht pjesëmarrëse në US Open.
Sfidanti.al